Çfarë është Huma?
Huma është një nismë e lindur nga dashuria për kafshët dhe nevoja për t’i dhënë atyre një zë të vërtetë. Është një vend ku njerëzit dhe shoqatat që duan kafshët bashkohen, për të krijuar diçka më të madhe : një lëvizje e përbashkët që ndihmon, edukon dhe ndryshon realitetin.
Ne kemi parë me sytë tanë se në Shqipëri ka shumë njerëz të mirë që duan kafshët, shumë shoqata që luftojnë çdo ditë për t’i ndihmuar, por shpesh janë të ndarë, të lodhur dhe pa mbështetje.
Prandaj Huma lindi me një qëllim të vetëm: Të bashkojë të gjithë ata që kujdesen për kafshët, nën një zë të vetëm.
Sepse vetëm bashkë mund të arrijmë aty ku të ndarë nuk mundemi.
Si ta mbyllim plagën?
Për ta mbyllur njëherë e mirë këtë plagë që na dhemb të gjithëve, duhet të shkojmë në rrënjë të problemit. Nuk mjafton të shpëtojmë një kafshë sot, nëse pas gjashtë muajsh ajo do të sillte në jetë dhjetë të tjera që do të përfundojnë sërish në rrugë. Kjo është një hemorragji që s’mbyllet me ndihma të përkohshme, por me zgjidhje të qëndrueshme, të menduara dhe të përbashkëta.
Ne besojmë se rruga e vetme për ta ndalur këtë cikël është përmes: sterilizimit në masë të kafshëve, edukimit dhe sensibilizimit të çdo njeriu që ka një kafshë për rëndësinë e kësaj, dhe ofrimit të shërbimeve falas ose me kosto të ulët, përmes donatorëve dhe bashkëpunimeve me veterinerë që duan të bëjnë ndryshim.
Në të njëjtën kohë, synojmë të mbledhim dhe strehojmë kafshët endacake në qendra të sigurta në çdo qytet, ku ato mund të kenë: sterelizim, kujdes mjekësor, ushqim, dashuri, dhe një mundësi për adoptim.
Këto streha do të menaxhohen nga vullnetarë lokalë, ndërsa shpenzimet do të mbulohen nga donacionet dhe shitjet e produkteve që ne ofrojmë përmes platformës sonë huma.al.
Kjo është mënyra e vetme për ta ndalur plagën në burim, duke mos reaguar vetëm ndaj pasojave, por duke parandaluar që ato të ndodhin. Duke vepruar bashkë, me dashuri, vetëdije dhe organizim.
Si e kemi menduar Huma-n
Ne nuk jemi një shoqatë më shumë jemi një lëvizje njerëzish që mendojnë njësoj. Qëllimi ynë është të bashkojmë zërat e të gjithëve që duan kafshët, për t’i dhënë fuqi një ideje të përbashkët: të mbyllim plagën e braktisjes dhe shumimit të pakontrolluar, përmes veprimeve të qarta dhe konkrete.
Për ta arritur këtë, kemi ndërtuar një rrugë të thjeshtë por të fortë:
Të bashkojmë sa më shumë njerëz që ndajnë këtë qëllim. Jo vetëm donatorë apo vullnetarë, por këdo që ka zemër dhe zë. Edhe një mendim, një share, një fjalë është ndihmë.
Të forcojmë komunitetin, që të kemi ndikim të vërtetë. Sepse vetëm një komunitet i madh mund të bëjë ndryshim të madh.
Të krijojmë qëndrueshmëri financiare përmes shitjes së produkteve, ushqime për kafshët, bluza, kalendarë dhe shumë të tjera që do të gjenden në platformën tonë huma.al. Kështu, çdo blerje bëhet ndihmë për një kafshë që ka nevojë.
Të ndërtojmë ura bashkëpunimi me shoqata, veterinerë dhe biznese që duan të ndihmojnë, në mënyrë që të mund të realizojmë sterilizime masive, edukim dhe strehim të organizuar.
Hapi ynë i parë: Bashkimi i komunitetit
Hapi ynë i parë është më i rëndësishmi: të krijojmë një komunitet të gjerë, aktiv dhe të bashkuar.
Ky është themeli i çdo gjëje që do të vijë më pas. Ne duhet të ndjejmë dëshirën për t’u bërë pjesë e Huma-s, sepse vetë kjo dëshirë lind ndjeshmëri, përhap fjalën dhe frymëzon të tjerë të bëhen pjesë.
Kur dikush e ndan një histori, një postim, një foto, ai ngre zërin për kafshët. Kur dikush fton një mik të bashkohet, e forcon komunitetin. Dhe kur shumë njerëz e bëjnë këtë, krijohet një lëvizje e fuqishme që nuk ndalet.
A e kuptoni sa i rëndësishëm është bashkimi?. A e kuptoni që asnjë shoqatë, asnjë person i vetëm nuk mund ta ndryshojë këtë realitet?
Prandaj ne ju ftojmë të bëheni pjesë e Huma, jo thjesht si anëtarë, por si zëri i përbashkët i kafshëve, si forca që i jep kuptim kësaj nisme.
Sepse vetëm bashkimi i vërtetë mund të bëjë atë që të tjerët e kanë quajtur të pamundur.
Huma është një komunitet që vendos bashkë. Nuk ka një drejtues që vendos për të tjerët, por një bashkësi që mendon, diskuton dhe vendos në mënyrë demokratike për çdo hap: ku të investohen donacionet, si të përdoren fitimet nga produktet, dhe cilat janë hapat më të mirë për të ndihmuar më shumë kafshë. Çdo vendim do të jetë i hapur, i debatueshëm dhe transparent.
Imagjinoni sikur të bëhemi 1000, 10 000 apo 100 000 njerëz. Edhe nëse secili jep vetëm një mendim, bën një share, apo dhuron 1 euro në muaj, shikoni çfarë mund të arrijmë bashkë: strehë për çdo qytet, ndihmë për çdo kafshë, dhe një kulturë e re që i sheh ato si pjesë të jetës sonë, jo si barrë.
Dhe më e rëndësishmja, gjithçka do të jetë e hapur dhe transparente. Falë teknologjisë, çdo donacion, çdo blerje dhe çdo shpenzim do të jetë i aksesueshëm për këdo. Çdo anëtar i Huma-s do të mund të shohë se ku shkon çdo ndihmë dhe çfarë rezultatesh sjell.
Ne besojmë se çdo familje që ka një kafshë, mund të ndihmojë kauzën tonë pa paguar më shumë, thjesht duke blerë ushqimin apo produktet e kafshës së saj te Huma, me të njëjtin çmim që do t’i blinte kudo tjetër. Por me një ndryshim të madh: këtu, çdo blerje ushqen edhe një tjetër kafshë që s’ka një shtëpi.
Kështu e kemi menduar Huma-n: si një rrjet zemrash që punojnë bashkë për një qëllim të vetëm, të ndërtojmë një Shqipëri ku asnjë kafshë nuk endet më në rrugë, dhe ku dashuria për to është pjesë e kulturës sonë.
Huma fillon me dashuri. Por rritet me njerëz si ti, që ndajnë, flasin, veprojnë dhe besojnë se bashkë mund të ndryshojmë gjithçka.
Ndaj regjistrohu bëhu blesë e jona!